Njohësi kosovar i çështjeve politike, Ernest Luma: Partitë e reja në garën e 11 dhjetorit, po sakrifikohet kauza kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni

0

ernest-lumaNë Maqedoni vetëm se afrohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, derisa në anën tjetër sapo vijnë e shtohen zërat se vota shqiptare po përçahet gjithandej për shkak se shqiptarët tashmë garojnë me disa parti politike të cilat do të masin forcën në garën e 11 dhjetorit.

Që spektri politik shqiptar në Maqedoni ka rrëshqitur deri në përçarje e thotë edhe njohësi kosovar i çështjeve politike, Ernest Luma.

“Divergjencat apo dallimet politike, mund te jenë, në një mënyrë, legjitime, vetëm deri në kufirin e përçarjes. Kam përshtypjen që spektri politik shqiptar në Maqedoni, dhe jo vetëm atje, ka rrëshqitur deri në përçarje. Një ilustrim në zhargonin popullor këndej është: “Iu kanë hypë skijave”. Realisht, ata mund ta bëjnë këtë, por nuk kanë të drejtë të luajnë me fatin e një populli të tërë. Në vitet 2001 e këndej, ngritja politike e BDI-së dhe e Ali Ahmetit, nisi me slloganet dhe premtimin e madh të bërjes së shqiptarëve në Maqedoni popull shtetformues, gjë që nuk mendoj se ka ndodhur tamam kështu brenda krejt këtyre 15-vjetëve”, shprehet Luma për Zhurnal.

Ai tutje shton se faktori politik shqiptar në Maqedoni është i ngjashëm me atë në Mal të Zi, pasi sipas tij në të dyja këto shtete, nuk po arrihet përfaqësimi i duhur i deputetëve shqiptar, pikërisht për shkak të mosunitetit nga këta të fundit.

“Interesat madhore nacionale, u tkurrën në interesa grupore e personale të klaneve dhe të partive politike atje. Njëjtë, si edhe te faktori politik shqiptar në Mal të Zi. Sot, shkaku i përçarjeve politike, shqiptarët në Mal të Zi kanë veç një deputet, në vend që t’i kishin katër ose pesë në parlamentin e atjeshëm. Edhe në Maqedoni, ky sindrom politik mbarëshqiptar, vetëm sa po merr shtrirje, në secilin vit më shumë. Në vend të, reth 50 deputetëve potencialë, shqiptarët në Maqedoni nuk po e arrijnë asnjëherë as gjysmën e kësaj shifre të përfaqësimit”.

Luma vazhdon për Zhurnal duke thënë se për muskujt politikë të individëve dhe të grupeve, po sakrifikohet kauza kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni.

“As në rrafshin ekonomik, shqiptarët e Maqedonisë nuk qëndrojnë më mirë. Maqedonia Perëndimore dhe territoret më shqiptarë, vazhdojnë të jenë më të pazhvilluarat, kurse investimet ekonomike të të gjitha qeverive, janë bërë e vazhdojnë të bëhen “me hile”, pra padrejtësisht. Kur trumpetonte mbrotjen e tërësisë së Maqedonisë, pas konfliktit të vitit 2001, z. Ahmeti thirrej në emër të rritjes dhe zhvillimit të faktorit politik shqiptar, i cili, sipas tij, brenda 20 vjetëve do të ishte dominant në Republikën e Maqedonisë, të cilën ai preferonte ta ruajë, më parë se sa ta ndajë apo federalizojë. Të gjitha këto, janë impakte jo të mira dhe ogurkqëija për shqiptarët në Maqedoni”.

Ndërsa sa i përket partive të reja që do t’ë hyjnë në garën e 11 dhjetorit, njohësi kosovar i çështjeve politike mendon se ato do t’i përcjellë trendi i fateve të vjetra, të përpjekjeve paraardhëse të tyre.

“Partitë e reja nuk do të arrijnë atë që pretendojnë. Mendoj që politika shqiptare në Maqedoni duhet të ndryshojë rrënjësisht. Nga politikë vasale, duhet të bëhet, më në fund, politikë dhe faktor i vërtetë shtetformues. Kushtetutshmërisht dhe faktikisht, flamuri shqiptar në Maqedoni respekttohet vetëm për ¼-tën. Dmth ka vetëm një qerek respekti në Maqedoni, ndërkaq pretendohej të jetë i bararbartë. Gjuha shqipe, vetëm tash flitet të bëhet zyrtare dhe deri diku e barabartë, ndërkohë që ishte premtuar e ishte shkruar qysh 15 vjet më parë, në Marrëveshjen e Ohrit. Një deputet shqiptar në Maqedoni u kundërshtua, para pak muajsh, kur foli shqip në Parlamentin e Maqedonisë. Andaj, me këtë trende, po majmet individët dhe grupet politike, e po tkurret e stërllodhet faktori shqiptar në Maqedoni”, përfundon Luma për Zhurnal.

Shpërndaj

Lini përgjigje